Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.
Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.
