Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ku ka theksuar se vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.
Gjithashtu, thuhet se në takim Osmani i ka kërkuar Terrasit që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka thënë se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.
“Presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Në këtë kontekst, presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë”, thuhet në njoftim.
Sipas Osmanit, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.
“Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave. Gjatë takimit, Presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”, thuhet në njoftim.
Bashkimi Evropian të hënën ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një përgjigje për KOHËN nga një zëdhënës i BE-së është thënë se Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së.
