Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me të cilët ka diskutuar disa çështje, mes tjerash edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Në një shkrim në Facebook të premten, Osmani ka thënë se u prit në takim nga Rubio në Departamentin e Shtetit në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.
“Me SHBA-në jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj!”, ka shkruar ajo.
Në takim, siç ka njoftuar Osmani, është diskutuar për forcimin e aleancës dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin e Kosovës.
“Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, ka shkruar Osmani.
Tutje, presidentja është shprehur se krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbesin të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.