Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas vrasjeve të fundit të dy grave nga bashkëshortët e tyre, ka takuar kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj, zëvendësin e U.D. kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj dhe koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina.
Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, në takim Osmani ripërsëriti shqetësimin e thellë lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike.





