Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq. Gjatë takimit presidentja Osmani diskutoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal, si hap kyç për avancimin e gjithë rajonit dhe një kontribuues për stabilitet dhe progres.
Në një njoftim në Facebook, Presidenca ka bërë të ditur se presidentja e vendit vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike.
“Duke folur për Procesin e Berlinit, presidentja Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Tutje, presidentja Osmani theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit.
Gjithashtu, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal.