Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde.
Gjatë takimit, thuhet se Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend, raporton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, në njoftimin e presidencës theksohet se u diskutua për procesin e konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për ta thelluar këtë partneritet dhe për të mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”, shkruhet në njoftim.