LAJME

Osmani, Sorensenit: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve

Osmani, Sorensenit: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Janar 2026, 12:55

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, gjatë të cilit bëhet e ditur se u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim, Osmani theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin, njofton Presidenca.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani e informoi Sørensenin për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë, sipas saj, dhe vlerësoi se zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane.

Sipas njoftimit, në takim u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, siç bën të ditur Presidenca, Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së.

Tutje, thuhet se presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend.

Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme, thuhet në fund të njoftimit të Presidencës së Kosovës.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika