Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur qesharake deklaratën nga ana e Serbisë për memorandumin mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë për aleancë ushtarake.
Ajo ka theksuar se Serbia, si shtet agresor, tenton ta paraqesë veten si viktimë duke shfrytëzuar situata që nuk kanë të bëjnë me të.
“Është interesante që historikisht shtetet agresore si Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori pushtimesh, sulmesh, gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtetet agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse po i sulmojka ata. Ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar ta pushtojmë asnjë centimetër të një territori të dikujt tjetër. Por në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova gjithmonë e ka mbrojtur vetveten dhe do vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin territorial, shtetësinë. Marrëveshja trelaterale synon këtë që t’i ndihmojmë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten e jo ta sulmojmë dikë”, ka thënë ajo në një prononcim për media.





