Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministren e Drejtësisë të Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt.
Presidenca ka bërë të ditur se në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Siç bëhet e ditur, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në këtë kontekst, thuhet se presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien. Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Sipas njoftimit të Presidencës, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, presidentja Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE.
Presidentja Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët, njofton në fund Presidenca e Kosovës.