“Po lëmë pas punë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Vjosa Osmani në dorëzimin e detyrës së presidentes te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu të shtunën.
Në ceremoninë zyrtare në Presidencë, Osmani ka thënë se është e lumtur që postin do ta mbajë një grua, teksa ka uruar që edhe pas Haxhiut në këtë post të jetë një grua.
“Ju dëshiroj mirëseardhje zonja kryetare e Kuvendit dhe nga sonte në mesnatë edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës. Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që kurdo që dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që siç thotë populli ta ngrehni këmbën zhag edhe ju që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë. Me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari të Republikës. Në emër edhe të gjithë bashkëpunëtorëve këtu në Presidencë dhe shumë të tjerë që s’janë këtu tash për momentin, ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës sa do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës”, ka deklaruar Osmani fillimisht.
Osmani ka thënë se puna e Haxhiut s’do të jetë e lehtë. Ajo po ashtu ka thënë se shpreson që Kuvendi sa më shpejtë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re.
“S’do të jetë punë e lehtë. Edhe unë i kam provuar të dyja më 2021 edhe si kryeparlamentare edhe u.d. e presidentes. Sado që kanë sfida të veta, të jesh kreu i shtetit dhe ta udhëheqësh politikën e jashtme të vendit e ushtrinë e saj, dhe detyra të tjera si përfaqësim i unitetit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në periudhën në vijim. Njëkohësisht shpresojmë shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re me shpresën që të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti jonë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha. Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor 2020, kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme. Kurse sot po iu lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë përgjatë takimit të bisedojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe që kanë filluar e shpresoj që ju t’i vazhdoni. Ka një numër të folderave këtu, 1 për qind të punës sa për të filluar, që mbulojnë edhe politikën e jashtme edhe pjesën e drejtësisë, edhe të mbrojtjes dhe të fushave të tjera. Çka është me rëndësi është se do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë unë dhe stafi, çdo ditë 24/7 për çka do që duhet për këtë shtet, informatë, mbështetje që ka nevojë vendi ynë, sepse angazhimi për shtetin s’është i lidhur asnjëherë me pozitat që mbajmë. E nuk do të jetë as tash e tutje. Çka do që keni nevojë jemi vetëm një thirrje larg”, ka thënë Osmani.
Ajo ka deklaruar se institucionin e Presidencës po e dorëzojnë “të fortë, me integritet e aleanca të forta”, duke thënë se si të tillë e ka ndërtuar presidenti Ibrahim Rugova.