Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar si jo të lehta propozimet evropiane për dialogun Kosovë-Serbi, e që lidhen me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
Të hënën në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajtën takim për çështjen e propozimit evropian. Pas takimit, Kurti u shpreh se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin, por se këtë e ka refuzuar Vuçiqi. Në BE kanë thënë se palët janë pajtuar me përmbajtjen e se plani i implementimit do të diskutohet në të ardhmen. Në propozimin e publikuar nga Bashkimi Evropian, në mesin e 11 pikave përmendet çështja e “nivelit të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe ajo e “formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”. Sipas Osmanit, këto janë propozime jo të lehta.
Në një deklaratë për KOHËN, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, ka thënë se Osmani e cilëson këtë pajtim të palëve për përmbajtjen e propozimit si moment pozitiv.
“Ai i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial”, thuhet në përgjigjen e Kupinës.
Megjithatë, Osmani ka vlerësuar se plani ka propozime jo të lehta, sepse sipas saj, nuk sqarohen implikimet nga to.
“Megjithatë, sipas Presidentes Osmani, me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit. Presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Osmani ka përsëritur se procesi i dialogut duhet të mbyllet me njohje reciproke ndërsa ka shtuar se fjalën përfundimtare për marrëveshjen duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës.