Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ndeshjes së mbrëmshme të përfaqësueses së Kosovës ndaj Turqisë, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit dhe emocionet që, sipas saj, tejkalojnë rezultatin sportiv.
Në një postim në Facebook, Osmani iu drejtua lojtarëve si “Dardanët e zemrave tona”, duke theksuar se Kosova ishte më afër se kurrë kualifikimit në Botëror, ndërsa suksesi i arritur, sipas saj, do të mbetet i gdhendur në historinë e vendit.
Ajo nënvizoi se ajo që përfaqësuesja i dha publikut nuk ishte vetëm një ndeshje, por diçka më e madhe se një fitore: krenari dhe emocione të fuqishme që bashkuan shqiptarët kudo që ndodhen.
Sipas presidentes, ndeshja bëri që i gjithë kombi shqiptar në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, të përjetojë të njëjtin emocion, duke theksuar se “sonte zemrat tona rrahën si një”.
Në përmbyllje, Osmani shprehu mbështetjen e vazhdueshme për ekipin kombëtar, duke theksuar: “Përgjithmonë me ju, Dardanë!”.