Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar se ekziston një iniciativë franko-gjermane në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.
Në konferencën për media, Osmani tha se asnjëherë nuk e ka mohuar ekzistencën e iniciativës franko-gjermane, ndërsa shtoi se kjo do t’i shpjegohet Kosovës përmes takimeve që do të mbahen në ditët dhe javët në vazhdim, raporton Zeri.info.
“Në çdo deklaratë publike kam thënë se ekziston një iniciativë franko-gjermane që do t’i shpjegohet lidershipit të Kosovës në detaje në ditët dhe javët në vazhdim. Do të ketë takime të institucioneve të Kosovës nën udhëheqjen e BE-së me palën gjermane dhe franceze, në mënyrë që detajet e kësaj iniciative, që ka për qëllim intensifikimin e dialogut, paqen në rajonin tonë, të shpjegohen më në detaje”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se sapo të merren të gjitha përgjigjet, do t’i shpalosin para qytetarëve të Kosovës. /Zëri