Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për familjet e tre qytetarëve kosovarë që humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë, Austri.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë” – tha presidentja Osmani.
Ajo theksoi se kjo tragjedi ka lënë dhimbje të madhe jo vetëm te familjet e viktimave, por edhe te gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne” – shtoi Osmani.
Presidentja u shpreh gjithashtu se ndan dhimbjen me familjet e viktimave.
“Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn” – u shpreh Osmani.
Katër punëtorë kanë vdekur të martën, në një rast tragjik që ka ndodhur në kryeqytetin e Austrisë – Vjenë.
Ndërsa, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka konfirmuar se tre nga viktimat janë shtetas të Kosovës.
Sipas Policisë së Vjenës në këtë rast tragjik, i cili ka ndodhur rreth orës 14:15, katër punëtorë kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar.
Mediat austriake kanë raportuar se rasti ka ndodhur pas shembjes së një pjese të skeles së ndërtimit në oborrin e brendshëm të një ndërtese të vjetër në rrethin e nëntë të Vjenës.