LAJME

Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje

Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Maj 2021, 19:16

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot gjatë ditës ka zhvilluar takim me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në takim me ta, Osmani njoftohet se ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.

Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, Osmani thuhet se ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo ka riperseritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër, ajo ka theksuar çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” nënvizoi Osmani . Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo po kështu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika