Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media ka dhënë shpjegime rreth deklaratës së saj se presidenti amerikan, Donald Trump, së fundi ka ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka deklaruar se vlerësimi për përshkallëzim të situatës ka ardhur pas informacioneve që ka marr nga institucionet e sigurisë.
“Në fund të muajit maj kemi marr informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë kam ndarë informatat me aleatët tanë të sigurisë për të kërkuar mbështetje për ta ndalur përshkallëzimin. Gënjeshtrat e Serbisë se nuk merr hapa për përshkallëzim janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. Deklarata të tilla kishte edhe pak para agresionit të shtatorit 2023. Thonë se janë për paqe po veprimet e tyre janë ndryshe” – ka deklaruar Osmani mes tjerash.
Tutje, ajo ka thënë se qytetarët kanë qenë të informuar për situatën me Serbinë dhe se nuk ka arsye për panik.
“Qytetarët i siguroj se nuk ka arsye për panik e shqetësim sepse institucionet e sigurisë kanë gjithçka nën kontroll në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtar. Për ata që thonë se qytetarët nuk kanë qenë të informuar për qëllimet e Serbisë, ju njoftoj që këto çështje janë përmendur në shumë komunikata të Presidencës, por edhe të institucioneve tjera” – ka shtuar Osmani./Kallxo.com/