Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën është takuar me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nga ku ka thënë se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars.
Sipas njoftimit të Presidencës, pavarësisht kësaj, Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët për t’u siguruar që marrëveshja do të zbatohet.
“Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.
Tutje, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Malit të Zi për shërbimet ajrore, marrëveshja e cila u nënshkrua të premten nga dy kryeministrat e vendeve përkatëse, Albin Kurti dhe Dritan Abazoviq.
Osmani, sipas njoftimit, ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garancë për paqe e prosperitet në rajon.
“Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.
Osmani dhe Abazoviqi diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.