Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun e saj nga Sllovania Borut Pahor, ka bërë të ditur se vizita kishte të bënte kryesisht më procesin e Samitit të Udhëheqësve në Brdo – Brijuni, që do të mbahet më 17 maj.
“Si mik i madh që është nuk është hera e parë që e viziton Kosovën, dhe asnjëherë as hera e parë që shpreh përkrahje për republikën tonë. Natyrisht, që kjo e radhës ishte vizitë pune më qëllim që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin Brdo – Brijuni që do të mbaj takimin e radhës, po ashtu edhe për të shënuar 10 vjetorin e këtij procesi në Brijun më 17 maj, ku unë do ta përfaqësoj Republikën e Kosovës”, tha presidentja Osmani.
“Diskutuam për temat që priten të diskutohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal, dhe për përshpejtimin e integrimit evropian për rajonin tonë.
E sigurova presidentin se Kosova e ka procesin e integrimit evropian prioritet mbi prioritetet. E potencuam se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave e që tash i takon BE-së ta mbajë premtimin. Jo vetëm kriteret por edhe dyfishin e kritereve në krahasim ne vendet e rajonit”, u shpreh Osmani.Presidentja bëri të ditur se e ka njoftuar homologun e saj për nevojën që ka Kosova për furnizimim me vaksina kundër COVID-19, e që për këtë thotë se pret edhe ndihmën nga shteti mik – Sllovenia.
Gjithashtu, ajo tregoi se e ka potencuar edhe gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e dialogut me Serbinë në Bruksel, por siç tha ajo, duke pasur parasysh statusin e Kosovës të përcaktuar më 17 shkurt 2008.“Po ashtu edhe kufijtë tonë, rregullimi i brendshëm janë përcaktuar një herë e përgjithmonë, por Kosova do të ulet të trajtojë çështja si ajo e personave të zhdukur, kjo duhet të jetë prioritet”, shtoi Osmani.
Ndërlidhur me faktin që para disa ditësh janë publikuar disa informacione që përmban një “non-paper”, që flet për për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Sllovenisë u shpreh se nuk pajtohet me ndryshim të kufijve.
“Me informacione të ‘non-paper’ nuk pajtohem për ndryshim të kufijve, qëndrimi im është i lidhur me këtë është plotësisht kundër, pra të mos bisedohet për ndryshim të kufijve. Dua të bind bashkëbiseduesit në BE dhe ballkanin evropian që vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe reformave”, u shpreh ai.