Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar sot telegrame ngushëllimi familjeve të të vrarëve në Gllogjan të Deçanit.
Telegrami ishte për anëtarët e familjeve Mustafaj, Hamzaj e Gjokaj, që u vranë mbrëmjen e djeshme në një sulm të armatosur drejt një autobusi.
“Lajmin për vrasjen e më të dashurve tuaj, Gentianës, Ledionit dhe Ganiut, e kam pranuar me dhimbje të madhe. Prandaj, më lejoni që si qytetare e këtij vendi, si nënë dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, ta ndaj me ju dhimbjen e thellë për vdekjen e parakohshme të tyre”, thuhet në telegramet dërguar familjeve.
Sipas presidentes, rasti i djeshëm është akt mizor dhe ngjarje e trishtë, e cila i ka prekur zemrat e çdo qytetari të vendit.
E para e shtetit tutje ka uruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten, teksa ka ftuar organet e rendit që sa më shpejtë, autorët e krimit t`i sjellin para drejtësisë.