Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani u është drejtuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” për të cilët ka thënë se po dëshmojnë profesionalizëm të lartë.
“Ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët perëndimorë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.
“Kujtojmë me krenari rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarët tanë e veçanërisht për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot”, shtoi Osmani.
Përkundër sfidave për shkak të pandemisë, Osmani tha se ky vit ishte i suksesshëm në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, e cila ka dëshmuar gatishmërinë e saj për t’i shërbyer vendit dhe paqes me profesionalizëm.
“Ju ishit gjithnjë të gatshëm t’i dilni në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit, duke mos kursyer asgjë nga vetja”, tha Osmani