Presidentja Vjosa Osmani ka nisur lobimin për të siguruar një mandat të dytë. Pesë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e të parit të vendit, Osmani ka takuar disa prej deputetëve nga komunitetet jo serbe. Osmani deri tani ka shfaqur ambiciet për një mandat tjetër pesëvjeçar, mirëpo ende nuk ka zyrtarizuar kandidaturën për çka nevojiten tridhjetë nënshkrime të deputetëve.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, thotë për KosovaPress se është takuar me Vjosa Osmanin për çështjen e presidentit. Sipas saj, Osmani e ka votën e saj edhe për një mandat të dytë, mirëpo propozimi duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.
“Po ne si grup multietnik jemi tetë deputetë, tash nëntë, edhe Veton Berisha është me neve. Ne jemi në koalicion me Vetëvendosje. Ata si parti më e madhe në Kuvend me 57 deputetë, kanë forcë për me votu një kandidat me neve për president. Unë e fola me presidente zonja Osmani, unë kam respekt të madh. Ama duhet propozimi prej Vetëvendosje, edhe na i presim këto ditë kush është kandidat edhe pastaj me pa qysh votojmë… Ajo ka votën time, sepse për mua zonja Osmani ka punuar një punë shumë mirë, një PR shumë e madhe për Kosovën jashtë vendit edhe jemi bashkë moti, ndoshta 20 vjet jemi këtu në kuvend edhe u kanë deputetja përpara, kemi punuar shumë bashkë”, thotë ajo.





