Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të enjten me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, pak para Samitit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).
Osmani shkroi në Facebook se e ka uruar Siljanovska-Davkovan për marrjen e postit së presidentes, duke shtuar se kanë diskutuar mbi raportet bilaterale dhe për thellim të bashkëpunimit.
“Në prag të Samitit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), takova Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Edhe një herë, Presidentes ia urova marrjen e detyrës, gjersa diskutuam edhe për raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve të të dy shteteve tona”, thuhet në njoftimin e saj.
Osmani gjendet në Shkup për Samit, ku do të diskutohet thellimi i bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë. Zyra e Presidencës ka njoftuar se Samiti do të shfrytëzohet edhe si mundësi për të garantuar paqe, siguri, stabilitetit e zhvillim ekonomik në rajon.
“Përgjatë qëndrimit në Shkup, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera”, thuhet në komunikatë./KOHA.Net/