Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, ka zhvilluar një takim me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Sipas njoftimit të dërguar mediave nga Presidenca, të dy presidentët i kanë vlerësuar të mira marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë potencuar se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe pakica malazeze në Kosovë janë urë lidhëse.
Osmani dhe Gjukanoviq, kundërshtuan idetë për ndryshimin e kufijve në rajon, por edhe shfaqën shqetësimin për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.
Gjithashtu njoftohet se është diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.
“Në takimin ndërmjet të dy presidentëve, gjithashtu është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në sferën e turizmit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimit ekonomik e tregtar”, thuhet tutje në njoftim.