Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë që BE-ja ende nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Osmani në një mbledhje të përbashkët me homologun nga Maqedonia e Veriut, e ka falënderuar Stevo Pendarovskin për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, lidhur me këtë çështje, përcjell Klankosova.tv.
“Përkundër faktit që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian ende nuk e ka mbajtur premtimin. Në këtë kontekst, dua ta falënderoj Pendarovskin që ka qenë zë i qartë pro procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, si shtet fqinj”.
Tutje Osmani ka thënë që Maqedoninë e Veriut e shohim jo vetëm fqinj, por edhe partner në shumë procese.
“Kosova dhe Maqedonia kanë interesa të njëjta strategjike sa i përket integrimeve. Procesi i integrimeve mbetet prioritet mbi prioritetet”.
Osmani tha se roli i shqiptareve në Maqedoninë e Veriut është i madh pasi shërbejnë si një urë lidhëse në mes të vendeve.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një urë lidhëse e fortë në mes të dy vendeve tona dhe dy popujt tona kanë lidhshmëri të madhe, bashkëpunim të madh në shumë fusha përfshirë bashkëpunimin, kulturor, tregtar e të tjera të cilat ne synojmë që t’i shtyjmë përpara”, tha Osmani.