Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i Rugovës.
Osmani tha se Rugova është arkitekt i pavarësisë së Kosovës. Ajo tha se aleancat që i ndërtoi Rugova na duhen edhe tani.
“Presidenti Rugova arrit në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhet Kosovës. Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarura, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë Osmani.
Kurse kryeministri Albin Kurti, tha se Rugova kujtohet në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës civile të popullit të Kosovës.
“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e saj, zonjën Vjosa Osmani Sadriu dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili është edhe Presidenti i parë i Republikës së Kosovës kur republika ishte republikë për rezistencë ndaj okupimit dhe aparteidit të Serbisë në Kosovë, por edhe Presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Sot, në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta”, tha ai./RTK/