Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri kanë bërë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.
Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.
“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.





