Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen e Nderit të Kosovës.
Ceremonia është mbajtur sotnë Prishtinë, ku Osmani ka vlerësuar kontributin e kreut të FIFA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, jo vetëm në momente të gëzueshme, por edhe në periudhat më të vështira.
E para e vendit ka vlerësuar Infantinon për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës në momente festive “por më së shumti për ato sfiduese”.
Ajo ka thënë se ka qenë kontributi i Infantinos që ka bërë që secilit fëmijë të Kosovës t’i jepet arsye për të ëndërruar.
Nga ana tjetër, Infantino është shprehur i nderuar dhe i lumtur për dekoratën, duke shprehur emocionin e tij të madh për nderin që mori dhe për lidhjen e veçantë me futbollin kosovar.
Ai e konsideroi Kosovën dhe Prishtinën si “kryeqytetin botëror të futbollit” dhe theksoi rolin e futbollit si një gjuhë universale që bashkon njerëzit.
“Çfarë nderi, çfarë kënaqësie, çfarë emocioni, çfarë lumturie për mua të jem sot në shtëpi, në Kosovë. Dhe të marr këtë nder të jashtëzakonshëm, këtë medalje nga ju, nga Presidenti, miqtë e mi të dashur, në emër të një vendi të mrekullueshëm, që është Kosova. Kosova sot, dhe Prishtina sot, është kryeqyteti i botës, apo jo? Bota e futbollit, sepse, siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, është kryeqyteti i botës. Por është një emocion i madh për mua të qëndroj këtu përpara jush, dhe kërkoj falje që po flas në anglisht, por shqipja ime ende nuk është në nivelin që duhet. Do të marr disa mësime për festimin e 10-vjetorit të anëtarësimit të FIFA-s të Kosovës vitin e ardhshëm, dhe herën tjetër do të flas shqip. Dhe nëse keni disa minuta, do të doja të thoja edhe disa fjalë të tjera. Pas pamjeve që pashë në video, do të doja t’i dedikoja këtë medalje, këtë njohje, këtë nder, Fadil Vokrrit”, tha Infantino.
Ai kujtoi gjithashtu përvojën e tij me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe rolin e Fadil Vokrrit në përpjekjet e vendit për të u njohur nga UEFA dhe FIFA.
“Kosova dhe më tej Kosova. E njoh shumë mirë Fadili, shumë. Dhe më kujtohet që kur Kosova ishte një vend shumë i ri, ende është një vend i ri, Kosova ishte shumë i vështirë dhe Federata e Futbollit dëshironte të bëhej anëtare e UEFA-s. Në atë kohë ishte paksa, si të them, e vështirë të njiheshe me disa njerëz nga Kosova, sepse ky ishte një vend… nuk është një vend, kur më thanë: ‘Jani, shko dhe njihu me këtë të ri’, dhe unë u njoha, dhe u njohëm, dhe biseduam, dhe isha gjithashtu i lidhur me departamentin ligjor të UEFA-s në atë kohë, dhe diskutuam për statutet dhe rregulloret, dhe kjo vazhdoi për vite me radhë, dhe pas disa keqkuptimeve, në një moment më thanë se është Fadili, dhe u njohëm edhe këtu, dhe Arman, shko, takoju, një herë, dhe ne vetëm prisnim dhe u njohëm, dhe pastaj kuptova se rezistenca dhe fuqia e njerëzve të Kosovës, që besonin në vendin e tyre, në atë që dëshironin, dhe kjo rezistencë e udhëhoqi UEFA-n dhe FIFA-n drejt Kosovës”, tha ai.
Infantino përmendi momentin historik të 2 majit 2016, tre muaj pas marrjes së detyrës si president i FIFA-s, kur kishte privilegjin ta mirëpriste Kosovën në familjen e madhe të futbollit botëror./Sinjali