Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar biseda me liderë e partnerë ndërkombëtarë, pas sulmit terrorist kundër infrastrukturës kritike në vend më 29 nëntor.
Përveç përfaqësuesve të shumë shteteve, ajo bisedoi me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien dhe sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë, kanë njoftuar nga Presidenca.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë shpërthimin në Varagë të Zubin-Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit. Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë, ndërsa ka kryer më pas bastisje në disa lokacione. Gjatë bastisjeve, Policia ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma. Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj.