Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se liria dhe pavarësia e Kosovës do të mbrohen në mënyrë të pakompromis.
Këto komente ajo i bëri pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sot në ditën e festës së 28 Nëntorit
Ajo tha se 112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është simbiozë e disa datave historike për kombin shqiptar.
Ajo përmendi ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E para e vendit nënvizoi se u betua sërish para varreve të familjes Jashari se do të mbrojnë çdo cep të Kosovës si dhe lirinë e pavarësinë e vendit.
“Kjo festë është simbiozë e disa datave historike për kombin tonë. Natyrisht shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë por njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997, na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike”.