Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Në Kompleksin Memorial në Prekaz, çdo hap është histori, çdo gur është sakrificë. Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, u përkulëm me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe para familjes që i dha Kosovës gjithçka” – ka shkruar Osmani.
E para e vendit shtoi se sakrifica e tyre do të mbetet udhërrëfyesi i tyre në çdo hap që bëjnë për shtetin dhe të ardhmen e popullit.
Ajo ka shprehur mirënjohje për pritjen e ngrohtë nga Rifat Jashari, duke e cilësuar si simbol të qëndresës dhe të dinjitetit të kësaj familjeje legjendare.
“Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet. Ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e shqiptarëve” – përfundoi Osmani.