Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur vendimin e miratuar në Kuvend për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin ndërkombëtar në Gaza, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për shtetin dhe pozicionimin e tij në arenën globale.
Sipas saj, votimi me 89 vota pro në Kuvendin e Republikës së Kosovës dëshmon unitet të gjerë politik për një vendim që ajo e konsideron historik – përfshirjen e FSK-së në misionin e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare në Gaza.
Osmani theksoi se ky hap është vazhdim i përkushtimit të Kosovës për paqe dhe siguri globale, në përputhje me zotimet e mëhershme të ndërmarra në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Donald Trump.
Ajo nënvizoi se përfshirja e FSK-së krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë dëshmon gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi të barabarta në mbrojtje të paqes, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë e vendit në skenën ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, Osmani vlerësoi se ky angazhim jo vetëm që forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe kontribuon në ngritjen profesionale të FSK-së dhe afrimin e vendit drejt synimit strategjik për anëtarësim në NATO.
Ajo u bëri thirrje institucioneve që të ratifikojnë sa më shpejt marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, duke e cilësuar këtë mekanizëm si të domosdoshëm për koordinimin e misionit dhe për forcimin e orientimit euroatlantik të vendit.
Në fund, Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe me profesionalizëm dhe dinjitet, gjithmonë në partneritet me aleatët ndërkombëtarë, duke shprehur mirënjohje të veçantë ndaj SHBA-së për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm.