Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, iu drejtua studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eötvös Loránd për të folur mbi prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Në fjalimin e saj, e para e vendit theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj integrimit euroatlantik. Ajo theksoi se Kosova është e vendosur të bëhet pjesë e plotë e familjes së shteteve euroatlantike dhe se aleanca me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe partneriteti me aleatët e NATO-s përbëjnë shtylla të qëndrueshmërisë rajonale dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e hapësirës euroatlantike.
Në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës Qendrore, presidentja u ndal te roli i arsimit si urë lidhëse mes kombeve dhe si themel për bashkëpunim afatgjatë. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen që studentët nga Kosova kanë marrë ndër vite nga Universiteti Eötvös Loránd dhe nga institucionet hungareze.





