Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të enjten ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Në takim u diskutua për përshpejtimin e përpjekjeve të Kosovës drejt integrimit në BE.
“Momenti për të avancuar në këtë rrugë është tani”, tha Orav.
Ai ka shprehur vlerësimin e BE-së për përafrimin vullnetar të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në mbështetjen ndaj Ukrainës.
Konjufca të enjten u takua edhe me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe atë të Francës, Oliver Guerot.
“Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Palët riafirmuan qëndrimet e përbashkëta në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshtimin e agresionit rus, si dhe theksuan nevojën për koordinim të vazhdueshëm në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë. Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse për partneritetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar”, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve. Ministri Konjufca theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Republika e Kosovës vlerëson partneritetin dhe përkrahjen e Francës, dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, u tha nga MPJD.