Opozita e Kuvendit të Kosovës është duke e parë të rrugës që kryeministri Albin Kurti të raportojë sa më parë para deputetëve se çfarë ka biseduar në takimin e tij të fundit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Gjermani.
Më 4 maj të në Berlin, Kurti, Vuçiq dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një darkë joformale biseduan për procesin e dialogut.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Çollaku, për Klankosova.tv ka thënë se konsiderojnë se darka e Kurtit dhe Vuçiqit në Berlin ishte edhe një rast tjetër i mirë, por krejtësisht i humbur, për të zhvilluar biseda përmbajtësore për marrëveshjen përfundimtare obliguese ligjore që në thelb ka njohjen reciproke.
“Kështu, Kurti në kundërshtim me këshillat e qarta të partnerëve tanë strategjik dhe në kundërshtim me interesin tonë shtetëror, me veprimet e tij në dialog, po e zgjat ruajtjen e status quo-s së brishtë e cila nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës”.
Çollaku ka theksuar se duhet një koordinim i partive opozitare që të thirrin një seancë në të cilën Kurti duhet të tregojë se çfarë është biseduar.
“Thirrja e një seance për interpelancë për këtë çështje është krejtësisht normale në rast se kryeministri injoron kuvendin e Kosovës dhe nuk tregohet transparent me qytetarët tanë. Ndërsa se cila parti opozitare do ta thërret një seancë të tillë, është më tepër çështje teknike dhe procedurale për të cilën besoj se do të ketë koordinim ndërmjet partive opozitare”,ka thënë Çollaku.
Në të njëjtën linjë mendimi për mbajtjen e seancës është edhe deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku.
“LDK mund të thërrasë seancë të veçantë për atë takim ashtu siç ishte vet takimi i tyre,i veçantë! Jemi në koordinim të veprimeve tona në interesa të vendit dhe jo vetëm në këtë situatë!”,ka thënë Bunjaku në një intervistë për Klankosova.tv.
“Kauzat e Kurtit në opozitë ishin kauza për mashtrim elektoral.Kurti është i obliguar të bisedojë me Vuçiqin por jo edhe të darkojë tanimë kur është në pushtet. Sidoqoftë ai duhet të raportojë se çka biseduan në atë takim nëse jo çka patën në menynë e darkës!”.
Bunjaku ka thënë se i pari i ekzekutivit duhet të raportonte në Kuvend dhe me pas të shkonte për vizitën zyrtare që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kurti është dashur patjetër të raportojë në Kuvend para se të shkojë në SHBA. Por ja që arroganca e tij po reflektohet edhe në situata kaq të rëndësishme!Tekefundit ai përfaqëson edhe pjesën tjetër të popullit dhe obligohet për transparencë”.
Kurse, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka deklaruar për Klankosova.tv se Kurti se pari duhet të thirret në seancë dhe të tregojë se pse së pari është ulur në këtë darkë, dhe më pas të tregojë se çfarë është biseduar.
“Një seancë do të thirret që ai me tregu se çfarë ka folur, çfarë është biseduar dhe pikë se pari edhe pse është ulur në atë darkë, duhet thirrur dhe duhet pyetur se çfarë ka ndodhur në këtë darkë”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, darka e Kurtit me Vuçiqin ishte e pritshme, dhe shton se ai është në kundërshtim me veprimet e tij.
“E pritshme, sikur gjitha të tjerat që po i dalin dhe po demantohen të gjitha veprimet, u demantu shkoi dhe hongër një darkë pa u gjetur të zhdukurit, do të thotë si të gjitha të tjera, kjo është shumë normale gjithëçka pritet prej Albin Kurtit”, ka thënë Berisha.