LAJME

Opozita i kërkon llogari kryeministrit Kurti për dakordimin në Bruksel

TV Prizreni
TV Prizreni
2 Mars 2023, 11:55

Dy liderët opozitarë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dakordimin në Bruksel dhe për mos raportim para Kuvendit të Kosovës.

I pari i PDK-së, ka thënë se një politikan i ndërgjegjshëm do të paraqitej vet në seancë për të raportuar, pa pasur nevojë për mocion.

“Unë nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka kryeministri sesa të vijë në Kuvend dhe t’u drejtohet deputetëve e qytetarëve. Po flasim për një marrëveshje preambula e së cilës heq dorë nga njohja e ndërsjellë, neni 10 specifikon se pa njohje të ndërsjellë pranon asociacionin. Nga ajo që kemi parë, ajo marrëveshje nuk mund të fuqizohet pa u ratifikuar në Kuvend. Ka shumëçka se çka thuhet në këtë marrëveshje. Ne e mbështesim kërkesën për debat”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhku, theksoi se Kurti vendosi ta tejkalojë të kaluarën e Kosovës, duke përfshirë siç tha ai, edhe krimet e masakrat që ka kryer Serbia.

“Ajo që merr vëmendjen e parë në plan e që nuk ishte prezantuar ndonjëherë, ishte parathënia – që ishte mbajtur tërësisht fshehur nga kryeministri Kurti në këtë Kuvend. Aty i gjeni dy formulime skandaloze me dëme historike për Kosovën. I pari ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës, i dyti, pa paragjykim të palëve mbi çështjen e statusit. Kjo do të thotë se tejkalohet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, me dakordim të palëve, përfshirë krimet, masakrat – sepse palët kanë vendosur ta tejkalojnë të kaluarën me një copë letër. Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën, kryeministri në preambulë si vlerë dakordohet për tejkalim të trashëgimisë të kaluarës. Jo vetëm kaq. Në një rast të paprecedentë, Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vet politik. Barazon mosnjohjen e Serbisë me vetë aktin e pavarësisë. Ky formulim në preambulë, neutral ndaj statusit të Kosovës, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në dialog”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, neutraliteti në status është dëm historik për Kosovën. “Edhe në marrëveshjet paraprake, që kishin ambiguitet, siç ishte ajo e fusnotës, kishte referencë në vendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar lideri i LDK-së në seancën e sotme të Kuvendit, i cili kërkoi mocion procedural që të futet në rend dite raportimi i kryeministrit pas procesit dialogues, kërkesë e cila u mbështet nga dy partitë tjera opozitare, PDK e AAK.

Në anën tjetër Mimoza Kusari-Lila, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar në fjalën e deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku që pika e parë e seancës së sotme të jetë raportimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për takimin që e kishte me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Kusari-Lila e ka quajtur kërkesën e Abdixhikut patetike, duke thënë, që këtë lloj fjalimi Abdixhiku ta bëjë në selinë e LDK-së, ndërkaq ka thënë se për LVV-në një debat i tillë për dialogun është i paqëndrueshëm si mocion.

Sipas saj, nga Abdixhiku s’kanë dëgjuar të bëjë analizë komperative të marrëveshjeve të nënshkruara nga subjekti i tij në 2015 dhe në 2020.

“Mocionin e kombinuar me fjalim patetik të z.Abdixhiku para deputetëve ja rekomandoj ta bëjë në selinë e LDK-së, për asye se z.Abdixhiku jo që filloi të diskutojë për rëndësinë e mocionit por filloi të bëjë analizë të marrëveshjes. Gjë që nuk e kishim dëgjuar të bëjë analizë komperative të marrëveshjeve të nënshkruara nga subjekti i tij në 2015, pastaj në 2020 dhe për dëmet apo regresin në procesin e dialogut”, tha Kusari-Lila.

Rrjedhimisht, siç tha ajo, para se të ngris alarmin për një marrëveshje të dakorduar në parim duhet të ja rikujtoj Abdixhikut se nga e njëjta foltore ka dalë dhe e ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë Kurti për izolim të Kosovës dhe për mos-bashkëkoordinim të veprimeve dhe vendimeve me aleatët tonë ndërkombëtarë./RTK/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika