Deputetë të partive të opozitës kanë reaguar pasi që të mërkurën Kuvendi i Kosovës dështoi të mbante seancë në mungesë të kuorumit.
Ata për këtë e kanë fajësuar pushtetin dhe e kanë quajtur dështim të tij.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se dështimi i seancës është papërgjegjësi e shumicës.
Sipas saj, pushteti nuk po arrin që t’i kalojë një sërë ligjesh që nga viti i kaluar.
“E patë që sapo u hap seanca e sotme e rendit të ditës, është mbyllur për shkak të mungesës së deputetëve për të qenë në sallë. Natyrisht është përgjegjësi kryekëput e kësaj mazhorance e cila ndonëse ka pika të mbetura që nga viti i kaluar, nuk po arrin që t’i përfundojë seancat me raporte të cilat presin tash e tutje për t’u miratuar dhe natyrisht se përgjegjësia bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin që t’i ketë deputetët në sallë dhe t’i sigurojë numrat për kalimin e ligjeve bazike e të mos flasë për marrëveshjet ndërkombëtare e Projektligje që prekin në thelb jetën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Deliu-Kodra për Ekonomia Online.
Ndonëse e ka pranuar se në seancë duhet të jenë edhe deputetët e opozitës, kuorumin sipas saj duhet bëjë pushteti. Deliu-Kodra ka thënë se përgjegjësia bazë bie mbi shumicën parlamentare.
“Përderisa janë katër ose pesë seanca të mbetura që i kishim në rend dite për miratim në këtë seancë, janë ligje që janë bartur që nga viti i kaluar dhe natyrisht që përgjegjësia kryesore i takon shumicës parlamentare. Edhe opozita e ka rolin e vet në këtë punë, por një shumicë parlamentare e cila i ka votat për miratimin e ligjeve dhe nuk i ka 62 deputetë në sallë dhe thërret seancë plenare për ditën e mërkurë, natyrisht që përgjegjësia bazë bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin të jetë funksionale”, ka theksuar Deliu-Kodra.
Pas anulimit të seancës ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Sipas tij sjellja e shumicës është joserioze.
“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura”, ka shkruar Hoti në Facebook.