Këtu e 22 vjet më parë, 12 qershori në Kosovë do të fitonte statusin e një date të shënueshme për posteritetin. Për kryeqytetasit, më 11 qershor po afrohej çlirimi i njëmendët tekqë nisi largimi i çizmes së ushtarit të fundit serb.
Me vocërrakë që turrevrapeshin shend e verë drejt ushtarëve britanikë e me luzma njerëzish që mirëseardhnin trupat aleate, ngjarjet e asaj kohe kanë edhe një tjetër rrëfim.
I dëgjuar, i përjetuar, por jo edhe i kuptuar. Sepse ajo që nisi si “marsh-brosok na Prishtinu”, jo vetëm që rezultoi me okupimin rus të zemrës së Kosovës, por gati sa nuk e solli një luftë të tretë botërore disa muaj para se shekulli i njëzetë të mbyllte dramën e vet të gjatë.
Por ankthi i lodrës së makthshme ruse të “Babushkës” i ruan edhe sot pasojat: ndarjen e pjesës veriore të vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia nuk kishin planifikuar të lejonin praninë ruse në Kosovë.
22 vjet pas historiani Lulëzim Nika sjell disa dokumente të deklasifikuara nga biblioteka e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, ndërkohë edhe një bisedë të këtij të fundit me ish-presidentin rus Boris Yeltsin e realizuar më 13 qershor 1999.
Clinton në bisedë ia kishte bërë të qartë ish-presidentit rus se duhet të ndalë dërgimin e ushtarëve rusë në Kosovë.
“Disa nga partnerët tanë në rajon janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar se ushtria juaj ka në plan të cenojë hapësirën e tyre ajrore për të dërguar trupa shtesë në Kosovë. Unë e di se ju nuk do të lejoni që ushtria e juaj ta bëjë këtë. Do të ishte një akt i barabartë me luftën. Boris, më duhet të ju kërkojë të udhëzoni ushtrinë tuaj të ndalë vendosjet e reja të ushtarëve në Kosovë. Kjo mund me të vërtetë të na vendosë në mosmarrëveshje si dhe po prish besueshmërinë e Rusisë”, citohet t’i ketë thënë Clinton- Yeltsinit.
Sipas historianit Nika dhe dokumenteve Rusia kishe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës.
Me 14 qershor të vitit 1999 në një bisedë tjetër telefonike Clinton i kishte thënë ish-presidentit rus se janë tre pika që duhet të respektohen: