Shtetet europiane dhe arabe, Kanadaja dhe SHBA-ja duket se janë të gatshme të kontribuojnë në fondin e nevojshëm prej 70 miliardë dollarëve për rindërtimin e Gazës, ka bërë të ditur të martën (14.10.2025) një zyrtar i OKB-së, duke shtuar se lufta dyvjeçare atje ka rezultuar me rrënoja të barabarta me 13 fish më shumë se piramidat e Gizës, raporton Reuters.
Jaco Cilliers, zyrtar në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se lufta e Izraelit ndaj “Hamasit” ka gjeneruar të paktën 55 milionë tonelata rrënoja dhe se mund të duhen dekada që Gaza të rimëkëmbet plotësisht.
“Kemi dëgjuar lajme shumë pozitive nga një numër partnerësh tanë, përfshirë partnerët europianë… Kanadanë” lidhur me gatishmërinë e tyre për ndihmë, ka theksuar ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se ka pasur edhe diskutime me Shtetet e Bashkuara.
Prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë, shumë palestinezë janë kthyer në shtëpitë rrënoja në territorin bregdetar.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, hise të mëdha të Gazës janë shndërruar në një shkretëtirë nga bombardimet izraelite gjatë dy viteve që vranë rreth 68 mijë persona.
Qyteti i Gazës është shkatërruar më së shumti, duke u kthyer në skenë të disa prej luftimeve më të ashpra. Rreth 83 për qind e të gjitha strukturave të ndërtesave aty janë dëmtuar, ka njoftuar Qendra Satelitore e Kombeve të Bashkuara (UNOSAT).
UNDP-ja ka bërë të ditur se ka pastruar tashmë rreth 81 mijë tonelata rrënoja nga Rripi i Gazës dhe se po vazhdon punën aty.
Izraeli nisi ofensivën pasi militantët e “Hamasit” sulmuan vendin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona dhe duke marrë 251 pengje.
Hamasi ka liruar pengjet e fundit të gjalla nga Gaza të hënën sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe Izraeli nisi drejt territoreve palestineze autobusë të mbushur me të burgosur palestinezë. Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli fundin e luftës dyvjeçare./Kallxo.com