LAJME

OJQ “EC Ma Ndryshe” zhvilloi aktivitetin “Ditarët e Hapësirave Publike” me personat me sindromën down në Prizren

OJQ “EC Ma Ndryshe” zhvilloi aktivitetin “Ditarët e Hapësirave Publike” me personat me sindromën down në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Prill 2026, 07:58

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se në kuadër të projektit “Public Spaces 4 ALL”, me komunitetin e personave me sindromën Down është zhvilluar aktiviteti “Public Spaces Diaries” (“Ditarët e Hapësirave Publike”).

Sipas njoftimit, aktiviteti është realizuar në qendrën e DSK në Prizren, me ç’rast me metoda kreative dhe ndërvepruese janë mbledhur përvojat e drejtpërdrejta dhe perceptimet e personave me sindromën down mbi përdorimin dhe cilësinë e hapësirave publike në qytet.

Siç bëhet e ditur, takimi u hap me një prezantim mbi projektin dhe metodologjinë “Public Spaces Diaries”, një qasje pjesëmarrëse që fokusohet në mbledhjen e të dhënave mbi përvojat e përditshme të grupeve të ndryshme të komunitetit në hapësirat publike, përfshirë modelet e përdorimit dhe vëzhgimet praktike mbi funksionalitetin e tyre.

Në njoftim thuhet se aktiviteti u realizua përmes sesionit të lehtësuar me metoda kreative dhe ndërvepruese, ku pjesëmarrësve iu shpërndanë ditarë individualë për të dokumentuar përvojat dhe mendimet e tyre. Ato përfshinin tema që lidhen me frekuencën e përdorimit të hapësirave publike, vështirësitë e hasura, si dhe ndikimin e kushteve atmosferike në përvojën e tyre.

EC Ma Ndryshe thekson se gjetjet e këtij aktiviteti do të shërbejnë si bazë për hartimin e rekomandimeve konkrete që synojnë përmirësimin e hapësirave publike në Prizren, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika