OJQ “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se në kuadër të projektit “Public Spaces 4 ALL”, me komunitetin e Personave me Aftësi të Kufizuara është zhvilluar aktiviteti “Public Spaces Diaries” (“Ditarët e Hapësirave Publike”).
Aktiviteti është realizuar në qendrën e Handikosit në Prizren, me ç’rast thuhet se janë mbledhur përvojat e drejtpërdrejta dhe perceptimet e PAK-ve mbi përdorimin dhe cilësinë e hapësirave publike në qytet.
Sipas njoftimit, takimi u hap me një prezantim mbi projektin dhe metodologjinë “Public Spaces Diaries”, një qasje pjesëmarrëse që fokusohet në mbledhjen e të dhënave mbi përvojat e përditshme të grupeve të ndryshme të komunitetit në hapësirat publike, përfshirë modelet e përdorimit dhe vëzhgimet praktike mbi funksionalitetin e tyre.
Siç bëhet e ditur, aktiviteti u realizua përmes sesionit të lehtësuar, ku pjesëmarrësve iu shpërndanë ditarë individualë për të dokumentuar përvojat dhe mendimet e tyre. Pyetësorët përfshinin tema që lidhen me frekuencën e përdorimit të hapësirave publike, vështirësitë e hasura, si dhe ndikimin e kushteve atmosferike në përvojën e tyre.
“Gjetjet e këtij aktiviteti do të shërbejnë si bazë për hartimin e rekomandimeve konkrete që synojnë përmirësimin e hapësirave publike në Prizren, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë qytetarët” – thuhet në njoftim.