LAJME

OJQ “EC Ma Ndryshe” diskuton sfidat urbane dhe mjedisore me banorët e lagjes “Jeta e Re” në Prizren

OJQ “EC Ma Ndryshe” diskuton sfidat urbane dhe mjedisore me banorët e lagjes “Jeta e Re” në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Mars 2026, 10:18

OJQ “EC Ma Ndryshe” njofton se ka mbajtur një takim me banorët e lagjes “Jeta e Re” në Prizren në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të DHSP-së nga Komuna e Prizrenit dhe ata nga KMM “Eko Regjioni” – Njësia në Prizren.

Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutuan problemet kryesore që prekin komunitetin, si ndotja nga ndërtimet, mungesa e pastërtisë në rrugë, pikat ilegale të mbeturinave, trafiku dhe mungesa e shenjëzimit rrugor. Po ashtu, thuhet se u ngritën shqetësime për ndriçimin publik, mungesën e çerdhes, qentë endacakë dhe vështirësitë në lëvizje për të moshuarit, për shkak të mungesës së transportit urban brenda lagjes.

Siç bëhet e ditur, përfaqësuesit institucionalë ofruan sqarime mbi shërbimet ekzistuese dhe inkurajuan qytetarët që të raportojnë problemet përmes kanaleve zyrtare, si dhe të adresojnë kërkesat me shkrim për zgjidhje konkrete.

“Takimi u përmbyll me një vizitë në terren, ku pjesëmarrësit panë nga afër problemet e evidentuara, me fokus të veçantë në pikat ilegale të hedhjes së mbeturinave” – thuhet në njoftim.

Ndryshe, ky aktivitet është realizuar me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika