Oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, kanë përfunduar me sukses të lartë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham. Ata gjithashtu morën titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër.
Sipas FSK-së, Kursi i Avancuar i Komandës dhe Shtabit ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e udhëheqësve të mesëm dhe të lartë për detyra komanduese dhe shtabore të nivelit strategjik dhe operacional.
FSK thotë se ky program përgatit oficerët për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake komplekse, bashkëpunimin me agjenci qeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe aplikimin efektiv të instrumenteve të fuqisë kombëtare në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë.





