Oda Ekonomike e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian që t’i heqë masat ndaj Kosovës. Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, në cilësinë e tij edhe si Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor (ËB6CIF), i ka dërguar letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme, Kaja Kallas, duke shprehur shqetësimin për masat kufizuese.
Në letrën e tij, Rafuna theksoi se këto masa pengojnë qasjen e institucioneve dhe bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim ekonomik, duke pezulluar mbi 600 milionë euro projekte në fushat e mbrojtjes së mjedisit, energjisë, digjitalizimit dhe infrastrukturës lokale.
“Megjithatë, masat kufizuese aktuale e pengojnë sektorin privat dhe institucionet e Kosovës të kenë qasje në këto instrumente. Rezultati është pezullimi efektiv i mbi 600 milionë eurove projektet zhvillimore që mbulojnë mbrojtjen e mjedisit, sigurinë energjetike, digjitalizimin dhe infrastrukturën lokale. Për bizneset tona — shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe nxitësi kryesor i mirëqenies, inovacionit dhe stabilitetit shoqëror — këto masa nënkuptojnë pamundësinë për të siguruar kredi, fonde dhe grante jetike për rritjen ekonomike”, thuhet në letrën drejtuar Kallasit.





