Gjendja e biznesit në tremujorin e katërt 2020 është e pakënaqshme, përkatësisht rreth 45 përqind e bizneseve kanë vlerësuar së kanë një gjendje jo të kënaqshme biznesore.
Megjithatë, në krahasim me tremujorin e paraprak gjendja e biznesit ka shënuar një përmirësim të lehtë, pasi që përqindja e bizneseve që vlerësojnë situatën e aktuale si të pakënaqshme është më e vogël për pritje pozitive.
Kështu theksoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në konferencën për media ku prezantoi të gjeturat kryesore nga anketimi i bizneseve, për tremujorin e katërt të vitit 2020.
Rukiqi tha se përderisa në TM4 të vitit 2019, 23 përqind e kompanive respodente prisnin rritje të numrit punëtorëve, në TM4 të vitit 2020, janë vetëm rreth 12 përqind e kompanive që kanë pritje pozitive, pra ka një rënie të pritshmërive prej 11 pritje pozitive.
“Kemi një përgjysmim të pritjeve, kjo reflekton pasojën e pandemisë ku kompanitë kanë më pak investime, kompanitë I kanë ngadalësuar edhe shumë projekte që i kanë pasur për vitin 2020 dhe kjo rrjedhimit ka rezultuar edhe me më pak pritje për punësim gjë që na tregon edhe vet gjendjen e sektorit privat. Megjithatë edhe kjo është më mirë se sa tre mujori i tretë, ka një rritje të pritjeve për punësim që reflekton në krahasim me tre mujorin e vitit 2020, tre mujori I katërt ka një tendencë më pozitive dhe një kënaqëshmëri më të madhe të bizneseve. Nëse shohim këtë tre mujor kemi një përmirësim të dukshëm të indikatorit të konfidencës, në tre mujorin e dytë ka qenë minus 44.7 përqind, në tre mujorin e tretë të vitit 2020 minus 33.8 përqind, ndërsa në tre mujorin e fundit të vitit 2020 është minus 4.1 përqind. Ende negativ, zhvillimet kanë qenë të tilla që mos me pasur konfidencën e mjaftueshme në raport me pritjet e tyre. Dhe po shpresojmë që TM3 i vitit 2021 dhe në përgjithësi 2021 ka me na dërguar në trend pozitiv, por kjo varet edhe nga veprimet që të ndërmerren në raport me përkrahen e ekonomisë, e cila është dëmtuar mjaft nga pandemia”, theksoi Rukiqi.
Ai po ashtu tha se pritjet për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pothuajse të ngjashme me TM4, rreth 41 përqind e kompanive respodente kanë vlerësuar se situata e tyre biznesore në 6 muajt e ardhshëm do të përmirësohet.
“Për gjashtë muajt e ardhshme 41 përqind e kompanive presin se situate e tyre biznesore do të përmirësohet. Pra, tash jemi duke fol për vitin 2021 ku kemi një numër më të madh të kompanive dhe ka një gjendje me optimiste sa i përket gjashtëmujorit të ardhshëm”, tha ai.
Kreu i OEK theksoi se në diskutime me Qeverinë që projektohet një mbështetje financiare për vitin 2021 si dhe kërkesë e veçantë për mbështetjen e sektorëve që pësuan në këto 12 ditët e fundit nga kufizimi I veprimtarive për gastronominë, qendrat tregtare dhe të tjera.
“Jemi duke diskutuar se si mund të projektohet një mbështetje financiare për vitin 2021. E dimë që qeveria është në ditët e para të punës, ne kemi parashtruar një kërkesë për këtë pjesën që lidhet lidhur me këto 12 ditët e mbylljes për dy sektor dhe për mbylljen e pjesshme për disa sektor të tjerë. Pastaj, ajo që neve na pret një plan i qartë se si të dalim nga kriza ekonomike dhe ta kthejmë trendin pozitiv”, theksoi Rukiqi.
Sipas Rukiqit në krahasim me tremujorin paraprak pritshmëritë janë rritur për 6 përqind, megjithatë sipas tij rreth 1/4 e kompanive të intervistuara presin që ta mbajnë numrin e njëjtë të punëtorëve në tre muajt e ardhshëm. Rukiqi pret që rritja ekonomike ka shënuar rënie rreth 6 përqind, ashtu edhe siç ishin parashikimet e FMN-së për Kosovën.