Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit duke kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tregun e hapur të energjisë.
OEK ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të iniciohet çështja në Gjykatën Kushtetuese e të kërkohet pezullimi prej të paktën një vit i vendimit të ZRRE-së.
“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit. Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e OEK.
Mbi 1 mijë biznese nga 1 qershori duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit për energji elektrike. Por kalimi në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat i përcakton tregu, po kundërshtohet nga bizneset. Ato kanë kërkuar që të ketë sërish shtyrje, ani se një vendim i tillë është shtyrë që nga viti 2017.
Vendimi i cili obligon ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim në vit që nga 1 qershori të dalin në treg të hapur po kundërshtohet nga përfaqësuesit e bizneseve.