Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Katarit kanë nënshkruar një Marrëveshje të Bashkëpunimit në Doha të Katarit.Marrëveshja po cilësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të investimeve midis dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-së, si dhe Shkëlqesia e Tij Rashid Hamad Al-Athbah, Nënkryetar i parë i OE të Katarit dhe njëri nga biznesmenët më me ndikim në Katar.OEK thotë se Katari ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme për Kosovën gjatë kohëve të vështira pas luftës, andaj kjo marrëveshje simbolizon fillimin e një faze të re të bashkëpunimit, duke vënë theksin tek zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i përbashkët në mes të dy vendeve.
“Gatishmëria dhe interesimi i palës katariane për bashkëpunim me Kosovën është shumë i lartë. Andaj, është me shumë rëndësi që Kosova të paraqesë ide të mira dhe konkrete investive për bizneset nga Katari”, u shpreh Rafuna, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve.Ky bashkëpunim strategjik, sipas OEK-së, përfaqëson një mundësi unike për Kosovën për të tërhequr investime cilësore dhe për të krijuar platforma bashkëpunimi që do të sjellin përfitime të ndërsjella dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Kjo marrëveshje u tha se është rezultat i ndërmjetësimit dhe përkushtimit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Katar, Shkëlqesia e Tij Fuad Morina. Kontributi i tij ka qenë vendimtar në ndërtimin e kësaj ure bashkëpunimi, duke sjellë mundësi konkrete për bizneset kosovare dhe katariane që të krijojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe produktiv.