LAJME

Oda e Avokatëve: Vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim po cenojnë të drejtat themelore

Oda e Avokatëve: Vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim po cenojnë të drejtat themelore
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Maj 2026, 11:18

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.

Në një reagim të Odës dërguar mediave thuhet se Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe të detyrueshme për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht pasi siç theksohet, bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, në praktikë, thuhet se vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka konsideruar se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që siç thuhet, lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike.

“Prandaj, Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika