Pas vendimit të sotëm të Departamentit për Çështje Administrative, të Gjykatës Komerciale, për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë, si dhe caktimin e masës së sigurisë, në pritje të aktgjykimit përfundimtar, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj që ZRrE të shfuqizojë menjëherë vendimin e saj të kontestuar për liberalizimin e tregut të energjisë.
Sipas reagimit të OEAK-së, aktgjykimi i sotëm, por edhe ato të para disa javëve, konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga bizneset dhe nga vetë Oda, duke theksuar më tej të metat procedurale dhe substanciale në procesin e liberalizimit.
“Pasiguria juridike e krijuar muajve të fundit ka shkaktuar konfuzion të jashtëzakonshëm në mesin e bizneseve, duke minuar parashikueshmërinë rregullative dhe duke cenuar planifikimin operativ”, tha OEAK në reagimin dërguar mediave.
Oda Amerikane thotë se reformat, veçanërisht në sektorët kritikë si energjia, duhet të bazohen në transparencë, siguri ligjore dhe trajtim të barabartë për të gjithë.
“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane bën thirrje për një dialog gjithëpërfshirës ndërmjet të gjithë hisedarëve përkatës, përfshirë Qeverinë e Kosovës si dhe komunitetin e biznesit, për të siguruar që çdo hap i ardhshëm drejt liberalizimit të tregut të bazohet në qartësi ligjore, procedura të drejta dhe një angazhim për drejtësi ekonomike”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. /Klankosova.tv