Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është bashkuar fushatës botërore, evropiane dhe të Kosovës për mbështetje të Ukrainës duke kërkuar bojkotimin e produkteve të Rusisë dhe atyre që janë duke e përkrahur këtë të fundit.
OAK ka kërkuar nga BE-ja, ShBA-të dhe vendet e tjera që të vendosin sanksione edhe për Serbinë.
“OAK kërkon gjithashtu nga bizneset që bëjnë tregti me Serbinë që ta ndërprenë menjëherë bashkëpunimin duke marrë parasysh pretendimet e vazhdueshme dhe në rritje territoriale që Serbia në përkrahje të Rusisë i ka ndaj Republikës së Kosovës, duke vazhduar ta mbanë në Kushtetutën e Serbisë ende Republikën e Kosovës. Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur Rusisë sanksione duke e konsideruar aleatin kryesor të saj”.
OAK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë angazhimin që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të të përshpejtojnë procedurat për futjen e Kosovës në BE dhe NATO, si një garanci për rritjen e sigurisë në Ballkan dhe Evropë.
Oda e Afarizmit thotë se është në përpjekje të vazhdueshme të mbështetjes së bizneseve, sidomos atyre prodhuese, në mënyrë që t’i zëvendësojë produktet e Serbisë me ato vendore.
“Duke synuar që të krijohet hapësirë dhe komoditet për përkrahjen e prodhimeve vendore, si organizatë në të cilën kemi qindra biznese vendore, jemi në përkrahje të fushatës për mbështetjen e produkteve vendore. Mënyra më e mirë dhe paqësore me i dalë zot vendit, është duke mos ble asgjë të prodhuar në Serbi, Rusi dhe Bjellorusi. Dhjetëra mijëra shqiptarë, me mbështetje ndërkombëtare, e sakrifikuan gjakun për Kosovën. Bojkotimi i këtyre produkteve është minimumi që mund të bëjmë”.