Nesër do të përfundoj gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021. Për një muaj nxënësit nuk do të ulen në bankat shkollore, teksa njohësit e arsimit insistojnë se ata duhet të angazhohen me detyra shtesë. Prindërit janë të shqetësuar që ky pushim mund të jetë në dëm të tyre, teksa SBAShK-u insiston se sikurse nxënësit edhe ata kanë pushim sipas vendimit të MASh-it.
Nesër do të jetë dita e fundit që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vend do të ulen në bankat shkollore. Ministria e Arsimit ka marr vendim që pushimi dimëror të fillojë më 18 dhjetor dhe të mbarojë me 18 janar, gjë që ka sjell pakënaqësi tek prindërit.
Për këto pakënaqësi janë deklaruar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Kryetari i kësaj sindikate ka thënë për Express, se pavarësisht shqetësimeve nga prindërit, vendimi është marrë nga institucione të rëndësishme të vendit.
“Ka pasur zëra nga Këshilli i prindërve që kanë reaguar dhe kanë deklaruar se ky pushim është zgjatur pak më shumë. SBAShK-u është pajtuar me vendimin e IKSHPK-së, MSH-së dhe MASH-it. Ata e kanë parë të udhës që ky pushim të jetë për një muaj”, ka pohuar ai.
Jasharaj tha se tashmë janë bërë ndryshime edhe në kalendarin shkollor për vitin 2020/2021 në mënyrë që të kompensohen orët e humbura nga ky vendim.
“Janë bërë disa ndryshime edhe në kalendarin për vitin shkollor 2020/2021, me qëllim që të lihet mundësia që ditët që kanë mbetur pa u realizuar në këtë gjysmëvjetor të realizohen pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë. Ka qenë propozim që edhe pushimi pranveror të kthehet në ditë mësimi, e pastaj të mbahet mësim edhe ndonjë të shtunë ose të vazhdohet mësimi edhe për pak ditë në fund të vitit shkollor”, ka thënë Jasharaj për Express.
Madje MASH-i, sipas tij ka marrë vendim edhe për heqjen e disa njësive mësimore që janë më pak relevante për nxënësit.
“Nxënësit nuk do të humbin nga procesi mësimor sepse edhe ashtu MASH-i me dokumente për përgatitjen e këtij vitit shkollor ka bërë që njësitë mësimore dhe planprogrami të jetë i kompensuar do të thotë që të shkohet në njësitë pa të cilat nuk bënë. Disa njësi janë hequr që mendohet se janë më pak të rëndësishme ose nëse mësohet që edhe në vitet e ardhshme shkollore”, ka thënë i pari i sindikatës.
E për këta nxënës që do të pushojnë për fiks një muaj, punëtorët e arsimit nuk do të angazhohen me detyra apo aktivitete shtesë. Kjo pasi që sipas Jasharajt me vendimin e ministrisë edhe ata kanë pushim po aq sa nxënësit.
“Ka edhe sinjale të tilla por bazuar në vendimin që e ka lëshuar vet ministri dhe që e ka nënshkruar, e thotë qartë që pushimi dimëror fillon me datë 18 dhe konsideroj që drejtorit e arsimit dhe të shkollave nuk duhet që të insistojnë që të gjatë kësaj kohe të mbahet mësim online ngase do të kemi laramani në komuna, bie fjala një komunë mund të mbaj mësim ndërsa një tjetër jo”, ka deklaruar ai për Express.
Në ndërkohë Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ka thënë për Express që vendimi i Qeverisë që nxënësit të kenë pushim dimëror një muaj është në dëm të tyre.
“Ky vendim i Qeverisë që pushimi dimëror të zgjaste nga dy javë në 1 muaj shkon në dëm të nxënësve për shkak që edhe më tutje i shmang ata nga procesi mësimor, kur dihet fakti që këtë vit për shkak të pandemisë është mundësuar për një kohë të gjatë thuajse mësimi online ose nga distanca”, ka thënë ai.
Për këtë çështje janë deklaruar edhe njohësit e arsimit në vend. Dukagjin Pupovci tha për Express, se është mirë që gjatë kësaj periudhe nxënësit të angazhohen me detyra shtesë.
“Një muaj është kohë e gjatë, por është mirë që gjatë kësaj periudhe fëmijëve t’u jepen ca detyra që duhet t’i bëjnë në kohën e këtij pushimi të imponuar. Pastaj, është me rëndësi që të ndryshohet kalendari shkollor në mënyrë që të realizohet numri i duhur i ditëve të punës, qoftë edhe nëse duhet punuar në dy javët a para të korrikut. Kosova bën pjesë në mesin e vendeve evropiane që kanë më së paku ditë mësimi gjatë një viti shkollor dhe nuk është mirë që numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, duke marrë parasysh pasojat që edhe ashtu i shkakton pandemia”, ka potencuar ai.
Kujtojmë që më 1 dhjetor të këtij viti, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi që kanë marr vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundoj me 18 dhjetor dhe ai i dytë të fillojë me 18 janar. /Gazeta Express/